Health & Beauty

Studim alarmues: Pesticide të rrezikshme të pranishme në tamponë?

Një studim i ri ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e produkteve menstruale, duke zbuluar praninë e pesticideve toksike në tamponët e shitur në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas raportit të përbashkët të Pesticide Action Network UK, Women’s Environmental Network dhe Pesticide Collaboration, në disa mostra janë gjetur nivele të larta të glifosatit – një pesticid i lidhur me rrezikun për zhvillimin e kancerit.

Në një prej tamponëve të testuar, u zbulua një përqendrim glifosati prej 0.004 mg/kg – 40 herë më i lartë se kufiri ligjor i lejuar për ujin e pijshëm në Bashkimin Evropian dhe Britani (0.0001 mg/kg).

Glifosati, një herbicid i përdorur gjerësisht në bujqësi, është klasifikuar si “ndoshta kancerogjen për njerëzit” nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC).

Prania e tij në produkte intime si tamponët është veçanërisht shqetësuese, për shkak të mundësisë që substanca të përthithet përmes mukozës vaginale – duke anashkaluar mbrojtjet natyrore të trupit.

Për më tepër, studimi gjeti edhe aminometilfosfonik acid (AMPA), një nënprodukt i glifosatit, që sugjeron se kontaminimi ka ndodhur që në fazën e kultivimit të pambukut – materiali kryesor që përdoret për prodhimin e tamponëve.

Aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar mungon një rregullore specifike që të kontrollojë dhe sigurojë sigurinë kimike të produkteve menstruale.

Ky boshllëk ligjor ka alarmuar organizatat për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit, të cilat po bëjnë thirrje për rregulla më të ashpra, testime më rigoroze dhe më shumë transparencë nga ana e prodhuesve.

Ekspertët rekomandojnë përdorimin e tamponëve organikë, të certifikuar pa pesticide dhe pa kimikate të dëmshme, si mënyrë për të reduktuar rrezikun ndaj substancave toksike.

Ndërkohë, konsumatorët inkurajohen të kërkojnë më shumë informacion mbi përbërësit e produkteve që përdorin dhe të mbështesin iniciativat për reforma në këtë sektor.