Stërvitja me intensitet të lartë e kryer më pak se katër orë para gjumit mund të ndikojë negativisht në gjatësinë dhe cilësinë e gjumit, sipas një studimi me më shumë se 14.500 të anketuar. Pasi monitoruan aktivitetin fizik, gjumin dhe aktivitetin kardiak të 14.689 personave gjatë një viti, një ekip ndërkombëtar studiuesish zbuloi se ushtrimet brenda katër orëve para gjumit shoqëroheshin me kohë më të gjatë për të rënë në gjumë, më pak orë gjumë, cilësi më të dobët të gjumit, së bashku me rrahje më të larta të zemrës gjatë natës dhe ndryshueshmëri më të ulët të rrahjeve të zemrës gjatë natës.
“Aktiviteti intensiv fizik në mbrëmje mund ta mbajë trupin në një gjendje vigjilence të shtuar, prandaj udhëzimet e shëndetit publik më parë këshillonin të mos ushtroni shumë afër kohës së gjumit”-tha Josh Leota nga Fakulteti i Shkencave Psikologjike i Universitetit Monash në një deklaratë. Ndërsa disa studime të mëparshme i kanë sfiduar këto udhëzime duke sugjeruar që stërvitjet e vona nuk e prishin gjithmonë gjumin, Leota argumenton se ato studime “mbështeteshin në madhësi të vogla mostrash dhe mjedise laboratorike, ndërsa rrallë përfshinin periudha ushtrimesh që shkaktojnë kërkesa të konsiderueshme kardiometabolike në trup”.
Për të hedhur dritë mbi vlefshmërinë e këtyre udhëzimeve të shëndetit publik, Leota dhe kolegët e tij kryen një studim të ri. Ekipi monitoroi pjesëmarrësit për të hetuar lidhjet e mundshme midis stërvitjeve të vona, intensitetit të ushtrimeve, gjumit dhe aktivitetit kardiak gjatë gjumit. Gjatë analizës së të dhënave, ata morën në konsideratë moshën, gjininë, stinën, ditën e javës, nivelet e fitnesit dhe mënyrën se si pjesëmarrësit fjetën natën e kaluar. Rezultatet lidhin ushtrimet e vona dhe të lodhshme me shenjat e lartpërmendura të shëndetit të dëmtuar të gjumit.
“Ushtrimet në mbrëmje veçanërisht ato që përfshijnë nivele të larta të sforcimit kardiovaskular mund të prishin gjumin pasues, rrahjet e zemrës dhe ndryshueshmërinë e rrahjeve të zemrës, duke prishur kështu një fazë kritike të procesit të rikuperimit”-tha Elise Feyser-Childs, autore kryesore e studimit. Ushtrimet që u konsideruan të lodhshme përfshinin ushtrime që shkaktonin vazhdimisht rritje të ritmit të frymëmarrjes, rrahjeve të zemrës, temperaturës së trupit dhe vigjilencës mendore, siç janë stërvitja me intervale me intensitet të lartë.