Lifestyle

Studim/ Normat e obezitetit kanë rënë në nivelin e duhur në vendet e pasura!

Studiuesit thonë se gjetjet e studimit sfidojnë idenë e një “epidemie” të vetme globale të obezitetit, duke zbuluar dallime të mëdha midis vendeve, grupmoshave dhe gjinive. Shkallët e obezitetit kanë vazhduar të rriten ndjeshëm në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme gjatë katër dekadave të fundit, ndërsa nivelet janë stabilizuar në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe vendeve të tjera me të ardhura të larta, sipas një studimi të ri të madh global.

Hulumtimi, i botuar në Nature, analizoi të dhëna nga 232 milionë njerëz në 200 vende dhe territore midis viteve 1980 dhe 2024. Studiuesit thonë se studimi sfidon idenë e përshkrimit të obezitetit si një “epidemi globale” të vetme, e cila mund të anashkalojë “faktin se trajektoret ndryshojnë ndjeshëm midis vendeve, grupmoshave dhe gjinisë”. Studimi u krye nga NCD Risk Factor Collaboration, një rrjet prej gati 2,000 shkencëtarësh në të gjithë botën, duke përdorur të dhëna nga më shumë se 4,000 studime të bazuara në popullatë që matin gjatësinë dhe peshën tek njerëzit e moshës pesë vjeç e lart.

Cili është përkufizimi i obezitetit?

Përkufizimi i obezitetit i përdorur nga ky studim – dhe nga shumica e mbikëqyrjeve globale – mbetet kuadri i bazuar në BMI të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për të rriturit, një BMI prej 30 ose më lart klasifikohet si obezitet. Një BMI midis 25 dhe 29.9 konsiderohet mbipeshë. Për fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5 deri në 19 vjeç, përkufizimi është paksa i ndryshëm. Obeziteti matet si të kesh një BMI që është më shumë se dy devijime standarde mbi standardin e rritjes së OBSH-së për moshën dhe seksin e tyre.

Gjetjet e studimit

Sipas studiuesve, në shumicën e vendeve perëndimore me të ardhura të larta – duke përfshirë ato në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe Australazinë – rritja e obezitetit tek fëmijët filloi të ngadalësohej gjatë viteve 1990 dhe ishte stabilizuar kryesisht deri në mesin e viteve 2000. Në disa vende, normat mund të jenë madje në rënie të lehtë.

Danimarka ishte ndër vendet e para që përjetoi ngadalësimin, me norma që u stabilizuan rreth vitit 1990. Deri në vitet 2010, vende si Franca, Italia dhe Portugalia po tregonin shenja të një përmbysjeje të vogël por domethënëse në obezitetin e fëmijëve – hera e parë që një lloj rënieje e tillë ishte vërejtur në nivel kombëtar.