Bota

Sulm iranian në Izrael, shënjestrohet një spital!

Një spital në jug të Izraelit pësoi goditje direkte nga një raketë iraniane. Zyrtarët raportuan për “dëme të mëdha”.  Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në rajonin jugor. Një zëdhënës njoftoi se ka të plagosur dhe ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa zona. Qytetarëve iu bë thirrje të mos kërkojnë trajtim mjekësor atje. Spitali i goditur ka mbi 1 mijë shtretër e ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit.

Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi një reaktor të ujit të rëndë në Iran [reaktor bërthamor që përdor ujë të rëndë].

Sipas televizionit shtetëror iranian, “nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”. Një gazetar i këtij televizioni, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga qyteti Khondab, deklaroi se objekti është evakuuar dhe nuk ka dëme në zonat civile që gjenden përreth reaktorit.

Sot, Izraeli paralajmëroi se do të godiste objektin dhe iu bëri thirrje banorëve të largohen nga zona. Ushtria izraelite deklaroi se gjatë sulmeve ajrore ka shënjestruar Teheranin e të tjera zona të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas vuri në dukje se Republika Islamike ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe iu bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.

Dita e shtatë e sulmeve mes Izraelit e Iranit vjen pasi udhëheqësi suprem i Iranit refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar e paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake e amerikanëve do të shkaktonte “dëme të riparueshme për ta”. Izraeli ka hequr disa kufizime për njerëzit, duke sugjeruar se kërcënimi nga raketat e Iranit është ulur.

Izraeli ka vrarë edhe gjeneralë e shkencëtarë bërthamorë iranianë. Irani njofton se deri tani, sulmet izraelite kanë vrarë 224 persona. Shteti hebraik raporton 24 viktima. Reaktori Arak, shënjestër e sulmeve izraelite, gjendet 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit.

Uji i rëndë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, por gjithashtu prodhon si nënprodukt plutoniumin, i cili potencialisht mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore. Kjo do t’i ofronte Iranit edhe një rrugë tjetër drejt një bombe bërthamore, përveç përmes pasurimit të uraniumit, nëse vendi dëshiron të prodhojë armë të tilla.

Më 13 qershor, Izraeli nisi fushatë ajrore duke goditur qendra ushtarake e bërthamore brenda Iranit. Synon t’i pamundësojë armikut posedimin e armëve bërthamore. Irani mohon se synon të ketë armë bërthamore, duke argumentuar se programin bërthamor e ka për qëllime civile.