Bota

Sulmet amerikano-izraelite vranë shefin e Inteligjencës së Iranit!

Gjeneralmajor Majid Khademi, kreu i shërbimeve të Inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit, sot u vra në një sulm ajror, sipas mediave shtetërore iraniane. Garda ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për këtë sulm, duke e cilësuar “akt terrorist”.

Gjeneralmajor Majid Khademi, drejtuesi i fuqishëm dhe i arsimuar i Organizatës së Inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike, u martirizua në sulmin kriminal terrorist të armikut amerikan-sionist, thuhet në një postim në kanalin Telegram të Gardës.

Mediat iraniane nuk dhanë detaje të sakta mbi vendin ku ndodhi sulmi, por raportuan se herët në mëngjes u kryen goditje ajrore në zona të banuara përreth kryeqytetit Teheran.

Kademi konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të aparatit të Inteligjencës së Gardës, me rol kyç në koordinimin e operacioneve të brendshme e të jashtme të Iranit. Vdekja e tij pritet të ketë pasoja të mëdha në strukturën e sigurisë së vendit.

Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump përsëriti kërcënimin për sulme në infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit. Këto deklarata i bëri disa orë pasi forcat amerikane shpëtuan një anëtar të ekipit që është rrëzuar nga një aeroplan luftarak F-15.

E marta e 7 prillit do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha në një, në Iran. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë! Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr, do ta shihni, shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Pavarësisht kërcënimeve, Trump ka thënë në një intervistë në Fox News se Teherani është “duke negociuar tani” dhe beson se ka mundësi të mira që të arrihet një marrëveshje në 24 orët e ardhshme.

Mendoj se ka mundësi të mira për më 6 prill. Po negociohet tani. Nëse nuk arrihet një marrëveshje shpejt, po e shqyrtoj shkatërrimin e gjithçkaje dhe marrjen e naftës.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf iu bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i japin fund “lojës së rrezikshme”, duke e ndalur luftën me Teheranin.