Bota

Sulmet hakmarrëse, Irani “zbraz” zemërimin ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe!

Aleatët rajonalë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës raportuan për sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës, duke rritur edhe më shumë frikën për ndërprerje të mëdha në furnizimin botëror me energji.

Në rajonin gjysmautonom të Kurdistanit në Irak, autoritetet thanë se operacionet në rafinerinë Lanaz në qytetin Irbil mbetën të pezulluara në orët e para të ditës së sotme, megjithëse zjarri që shpërtheu pas një sulmi me dron u vu nën kontroll.

Irani do të shënjestrojë objektet e kompanive amerikane në rajon nëse objektet e tij energjetike sulmohen, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke folur në televizionin shtetëror, pas goditjeve amerikane në ishullin Harg.

Duket se Irani e zbrazi zemërimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi ngriti pretendimin se sulmi ndaj ishullit Harg nga forcat amerikane e kishte origjinën nga Emiratet.

Një zëdhënës ushtarak iranian paralajmëroi njerëzit në Emiratet e Bashkuara Arabe që të largohen nga portet, doket dhe “vendstrehimet amerikane”.

Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe mohuan se ushtria amerikane sulmoi nga bazat në vend, por thanë se gëzojnë të drejtën për të ndërmarrë veprime mbrojtëse.

Presidenti amerikan, Trump minimizoi shqetësimet e konsumatorëve për koston e energjisë.

Mendoj se çmimet do të bien më shumë se më parë dhe unë i parashikova në nivele rekord të ulëta. Ato do të bien shpejt pasi të përfundojë lufta në Iran.

Irani është zotuar ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit e ka thënë se çmimet e naftës mund të arrijnë në 200 dollarë për fuçi, rreth dyfishi i çmimeve të tanishme, që aktualisht janë shumë të larta.

Pasi një ditë më parë deklaroi se së shpejti, Marina Amerikane do të fillonte të shoqëronte anijet në ngushticë, u duk se shefi i Shtëpisë së Bardhë u tërhoq nga ajo deklaratë.

Nuk dua t’ju them asgjë për këtë, por është e mundur. Vendet e botës që marrin naftë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë ngushticë dhe ne do t’i ndihmojmë shumë! Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të koordinohen me ato vende që gjithçka të shkojë mirë, shpejt dhe pa probleme.