Bota

Sulmet izraelite vrasin një zyrtar të Hamasit!

Në Rripin e Gazës nuk ndalen sulmet ajrore izraelite të kryera në natën mes të mërkurës dhe ditës së sotme, duke lënë të vrarë gjashtë anëtarë të një familjeje e një zëdhënës të Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Një goditje shënjestroi një tendë ku Abdel-Latif al-Qanoua po qëndronte në zonën e Xhabalias, në veri të Gazës. Zyrtari i Hamasit u vra, njoftoi Basem Naimi, një zyrtar i këtij grupi.

Një tjetër sulm ajror pranë Qytetit të Gazës vrau katër fëmijë dhe prindërit e tyre, siç edhe raportoi shërbimi i Urgjencës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, dikaster që kontrollohet nga Hamasi.

Izraeli i dha fund armëpushimit me Hamasin javën e kaluar, duke nisur një sërë sulmesh ajrore që kanë lënë të vrarë me qindra palestinezë, përfshirë zyrtarë të Hamasit. Shteti hebraik është zotuar se do të përshkallëzojë ofensivën nëse militantët nuk lirojnë pengjet dhe në rast se grupi nuk çarmatoset e nuk largohet nga enklava.

Gjatë sulmit ndaj Izraelit, më 7 tetor të vitit 2023, Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 persona, si dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë, disa prej të cilëve vazhdon t’i mbajë ende. Të tjerë janë liruar, por ka edhe nga ata që humbën jetën teksa qëndronin të rrëmbyer.

Grupi palestinez ka thënë se do të lirojë 59 pengjet e mbetura, 24 nga të cilët besohet se janë gjallë dhe kjo vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm e tërheqjes së Izraelit nga enklava palestineze. Si pasojë e luftës, në Gazë janë vrarë më shumë se 50 mijë palestinezë, referuar të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë.