Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka dënuar sulmin e ndodhur në ujësjellësin e Kosovës.
Në një reagim në rrjetin social X ai shprehet se SHBA pret që përgjegjësit të vihen para ligjit.
“Dënojmë sulmin e 29 nëntorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falë punonjësve të urgjencës dhe të tjerëve, përfshirë KFOR-in për rivendosjen e furnizimeve thelbësore”, shprehet ai.
Policia e Kosovës ka zhvilluar edhe sot kontrolle në terrenin përgjatë kanalit të Ibër-Lepencin në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani tha se janë kryer bastisje, gjatë së cilave janë konfiskuar tri pushkë gjuetie.
“Sot kemi pas kontroll të terrenit përgjatë kanalit në Varagë, po ashtu edhe bastisje. Kemi konfiskuar 3 pushkë gjuetie por nuk kemi të ndaluar apo të arrestuar. Kontrolli i terrenit është kryer me njësinë policore K-9, e po ashtu edhe me njësitet tjera policore dhe tashmë ka përfunduar”, tha ai.
Policia të shtunën arrestoi tetë të dyshuar në një operacion të gjerë në veri të vendit.
Gjithashtu, u njoftua se Policia në atë pjesë të vendit konfiskoi armatim, përfshirë eksploziv.
LEXO EDHE: Shpërthimi në Zubin Patok, Vuçiç: Kemi dyshime të caktuara kush mund të jetë autori…