Presidenti Aleksandër Vuçiç, iu drejtua publikut serb këtë të diel (1 dhjetor 2024) lidhur me shpërthimin në Zubin Potok më 29 nëntor 2024. Vuçiç tha se dje (30 nëntor 2024) ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj Serbisë.
“Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh hibrid ndaj vendit tonë, në valën e parë kanë akuzuar Beogradin dhe Serbinë se janë pas shpërthimit në Zubin Potok dhe se Beogradi e Serbia nuk kanë lidhje me ato ngjarje”,– tha Vuçiç.
Po ashtu, lideri serb tha se Beograi ka “njohuri të caktuara se kush mund të jetë autori”.
“Ne si shtet serioz nuk jemi marrë me akuzat. Hetimi do të tregojë, kemi dyshime të caktuara, mendojmë se kemi informacione të caktuara dhe kush mund të jetë autori”,– theksoi presidenti serb.
Vuçiç theksoi se institucionet kompetente në Beograd do të vazhdojnë hetimet, duke informuar në mënyrë periodike opinionin publik për çdo zbulim.
Kanali i ujit Ibër-Lepencit në veri të Kosovës që furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj, u hodh në erë mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në veri.
Tetë persona të arrestuar dhe një arsenal i tërë armësh i zbuluar – përfshirë eksploziv dhe uniforma ushtarake – është bilanci i operacionit të bastisjes që policia e Kosovës ndërmori më 30 nëntor në veri të vendit, pak orë pasi u hodh në erë kanali i ujit Ibër- Lepenci.
Në një konferencë të jashtëzakonshme ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla krah drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha tha se bastisjet janë kryer në 10 lokacione të ndryshme në veri, i banuar me shumicë serbe.
Të arrestuarit dyshohen për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri, mes tyre dhe hedhja e granatave të dorës në Zveçan dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ministri përsëriti se Kosova e mban përgjegjëse Serbinë për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit por dhe ato të ndodhura brenda 72 orësh. Ndërkaq, reagime ka patur edhe nga BE, dhe liderë europian.