Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi “aktin terrorist” në veri të Kosovës ku një natë më parë, sipas autoriteteve është shpërthyer me eksploziv një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Sipas Berishës, “me çdo kusht, Beogradi kërkon destabilizim në Kosovë”. Berisha “uroi që përgjegjësit të vendosen para ligjit”, si dhe i kërkoi Tiranës zyrtare të mos ndërhyjë “në punët e brendshme të Kosovës”.
Këto akte terroriste të cilat zhvillohen pas shpalljes nga presidentja e Kosovës të datës së zgjedhjeve dhe shprehjes së vullnetit të Listës Serbe për marrjen pjesë në këto zgjedhje kanë synim madhor destabilizimin e atij rajoni dhe dekurajimin e serbëve, për të marrë pjesë në proceset demokratike, në Kosovë, në vendin e tyre.
Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit, që me çdo kusht kërkon një zonë konfliktuale të re, destabilizimin e Kosovës. Një skenar i tillë, është skenar tipik i Rusisë së vogël, që shkon në interesin më të madh edhe të Kremlinit.
Situata në Kosovë, kriza e konservuar në Kosovë është rrjedhojë e qëndrimeve fund e krye konfliktuale të Beogradit, synimit të tij për të mbajtur shtetin serb në Kosovë e për të zmadhuar, siç shprehej vetë Vuçiç-i Serbinë, duke nënkuptuar këtë zmadhim me territoret e Kosovës.
Kjo situatë është në interesin më të mirë të Kremlinit, i cili kërkon që krahas fronit të luftës në agresionin që bëri ndaj Ukrainës, të ketë edhe një konflikt tjetër në Ballkan, po në interesa të tij.
Po ashtu, Berisha bëri thirrje që të hiqen sanksionet kundrejt Kosovës ndërsa kërkoi reagimin e faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, “zgjidhja më e mirë është anëtarësimi i Kosovës në NATO”.
Bëj thirrje të hiqen menjëherë të gjitha sanksionet absurde të vendosura ndaj Kosovës, një vend demokratike, de facto vendi më demokratik i rajonit. Sikundër i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar në tërësi e Aleancës së Atlantikut të Veriut në veçanti, të mbajë parasysh se Kosova është territor i NATO-s dhe zgjidhja absolute, më e mirë për Kosovën e sigurinë e NATO-s është anëtarësimi i këtij vendi në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky është interesi i paqes dhe sigurisë në rajon. Kosova territor i NATO-s dhe askush nuk duhet dhe nuk mund të luajë me këtë territor, këtë vend.