Kanë mbetur edhe dy ndeshjet e fundit të 2025-ës nga Abissnet Superiore. Në datat 19 e 20 dhjetor luhen 5 sfidat e Javës së 17-të, dy prej tyre në kryeqytet.
Dinamo City pritet të luajë sërish në stadiumin “Air Albania”. Blutë do të presin Vorën ditën e premte dhe kanë zgjedhur stadiumin më të mirë në vend. Së fundi skuadra e trajnerit Ilir Daja u mund në këtë impiant nga Egnatia, ndërsa më parë ka mundur Tiranën e ka barazuar me Elbasanin.

Po në këtë stadium, Dinamo City do të luajë edhe finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Egnatias, në datë 28 dhjetor. Në sprintin final të 2025-ës, 18 herë kampionët e vendit do të luajnë dy ndeshje në “Air Albania” dhe një takim me Partizanin në fushën e “Demave të Kuq”.
Dinamo City – Egnatia, e zhvilluar në “Air Albania”, uli siparin e Javës së 16-të të kampionatit “Abissnet Superiore”. Kampionët në fuqi të Egnatias fituan me rezultatin 2-1.
Vllaznia barazoi në “Loro Boriçi” 1-1 me Bylisin, ndërsa me të njëjtin rezultat u mbyll edhe përballja Teuta – Tirana në “Niko Dovana”.
Partizani regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat, duke mposhtur Flamurtarin në shtëpi me rezultatin 2-1. AF Elbasani triumfoi 1-0 ndaj Vorës në “Elbasan Arena” dhe kryeson kampionatin me 32 pikë.