Talebanët i kanë ndalur shërbimet e telekomunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin, duke e shkëputur vendin nga pjesa tjetër e botës.
Grupi islamik radikal e bllokoi qasjen në internetin me fibër optike në të gjithë Afganistanin më 29 shtator.
Rrjetet e telefonisë mobile, të cilat funksionojnë në të njëjtin sistem, gjithashtu u fikën pothuajse tërësisht.
Ky vendim ka shkaktuar kaos në Afganistan, duke ndërprerë fluturimet dhe duke i shkëputur njerëzit nga sistemet bankare, tregtia elektronike, si edhe nga punët dhe shkollat online.
Vëzhguesi i internetit NetBlocks tha më 29 shtator se Afganistani është “në mes të një ndërprerjeje totale të internetit”.
Talebanët nuk kanë dhënë arsye zyrtare për vendim.
Por, ndalja e shërbimeve të komunikimit ndodhi disa javë pasi grupi kishte filluar të ndalonte qasjen në internetin me fibër optike në disa provinca.
Grupi tha se ky veprim synon ta parandalojë “imoralitetin”, pasi Talebanët më herët kishin shprehur shqetësim për pornografinë dhe intimitetin online mes burrave dhe grave.
Por, kritikët thonë se ky vendim është pjesë e një shtypjeje më të gjerë ndaj lirive individuale dhe qarkullimit të lirë të informacionit.
Qëkurse e morën pushtetin në vitin 2021, talibanët kanë kufizuar rëndë të drejtat e afganëve, sidomos të grave, dhe kanë shtypur dhunshëm çdo kundërshtim.
Talebanët kanë përdorur interpretimin e tyre të ligjit islamik të sheriatit për t’i arsyetuar politikat e tyre ekstreme. Por, dijetarët islamë thonë se nuk ka baza fetare për vendimin e grupit për ta ndaluar internetin.
Ndalja e shërbimeve të komunikimit ka prekur qytetarët e thjeshtë, bizneset private dhe zyrat qeveritare.
Shërbimi i gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 tha se të paktën tetë fluturime – të planifikuara për t’u nisur ose për të mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit më 29 shtator – janë anuluar.
Ishaq Atmar, analist afgan me bazë në Gjermani, tha se ndërprerja e komunikimit do të ketë pasoja të mëdha.
“Është një humbje e madhe si për popullin afgan, ashtu edhe për ekonominë e këtij vendi”, i tha ai Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë.
“Nëse e fikni internetin, kjo do të thotë se e keni fikur jetën, sepse asgjë nuk është e mundur pa internet”, shtoi ai.