Rajoni

Të drejtat e njeriut: AI përmend ligjet që s’i kaloi Kuvendi i Kosovës!

Shtypja e mendimeve ndryshe, përshkallëzimet e konflikteve të armatosura, përpjekjet e pamjaftueshme për të adresuar kolapsin klimatik, si dhe reagimi në rritje në mbarë botën kundër të drejtave të emigrantëve, refugjatëve, grave, vajzave dhe personave LGBTI, janë çështje të ngritura në raportin vjetor për të drejtat e njeriut të organizatës ndërkombëtare, Amnesty International (AI) e të publikuar sot.

Secila prej këtyre çështjeve përballet me përkeqësim të mëtejshëm në një vit të trazuar si 2025-a, nëse nuk arrihet një kthesë globale.

Raporti vjetor i Amnesty International që tregon se sa po respektohen të drejtat e njeriut në botë, përmend mosmiratimin e Ligjit për fertilizimin e asistuar dhe shëndetin riprodhues (IVF) e Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës.

Aksesi në IVF vazhdoi të ishte vetëm në klinika private, pasi pati një tjetër përpjekje të dështuar në parlament për ta kaluar ligjin për shëndetin riprodhues e që do të mundësonte shërbimin e IVF-it në spitale publike, thuhet në raportin vjetor të AI. Më tej theksohet se debati në Parlament është ndjekur me dezinformata e gjuhë të urrejtjes ndaj grave beqare nga disa deputetë.

Radio Evropa e Lirë pati raportuar për deputetët të cilët e kishin kundërshtuar këtë ligj, duke bazuar në besimin e tyre se kështu e mbrojnë “familjen si institucion” dhe se se IVF-ja duhet të jetë opsion vetëm për çiftet e martuara heteroseksuale.

Të njëjtët deputetë, me disa të tjerë kanë kundërshtuar edhe kalimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës e që nuk është sjellë për miratim në Kuvend që nga viti 2022. Mospajtimet e deputetëve lidheshin me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave mes të njëjtës gjini.

Krahas dështimit të kalimit të Kodit Civil, Amnesty International, në raportin vjetor, theksoi se të mbijetuarit e dhunës në familje që i përkasin komunitetit LGBTI+ ende nuk kanë qasje në vendstrehime të specializuara.

Në të kaluarën, REL-i ka raportuar edhe për këtë problem, që ndër vite ka detyruar të mbijetuarit e dhunës në familje që i përkasin këtij komuniteti të largohen nga Kosova për t’u strehuar në Tiranë.