Të kesh një motër në jetë nuk është vetëm një bekim familjar, por edhe një faktor kyç për shëndetin mendor dhe zhvillimin emocional.
Këtë e konfirmojnë disa studime shkencore që tregojnë ndikimin pozitiv që motrat kanë në mirëqenien psikologjike.
Një studim i vitit 2010 nga Universiteti Brigham Young, i drejtuar nga profesorja Laura Padilla-Walker dhe i publikuar në “Journal of Family Psychology”, analizoi 395 familje me adoleshentë të moshës 10–14 vjeç.
Motrat, sipas studiuesve, luajnë një rol kyç në krijimin e një ambienti të hapur brenda familjes, ku komunikimi dhe shprehja e ndjenjave janë më të natyrshme.
Kjo atmosferë favorizon një gjendje të shëndetshme mendore dhe emocionale.
Një tjetër studim i vitit 2009, i realizuar nga profesor Tony Cassidy i Universitetit të Ulster dhe Dr. Liz Wright nga De Montfort University, përfshiu 571 të rinj.
I prezantuar në konferencën vjetore të “British Psychological Society”, ky hulumtim tregoi se personat që kishin motra ishin më optimistë dhe më të pavarur emocionalisht.
Sipas ekspertëve, motrat ndikojnë në zhvillimin e ndjeshmërisë emocionale dhe krijojnë lidhje më të ngushta brenda familjes, gjë që ndihmon në përmirësimin e mirëqenies mendore për të gjithë anëtarët.
Këto gjetje theksojnë se motrat nuk janë thjesht shoqe të fëmijërisë, por faktorë të rëndësishëm në formësimin e inteligjencës emocionale dhe qëndrueshmërisë psikologjike – cilësi që lidhen ngushtë me suksesin dhe lumturinë në jetë.