Sot në emisionin “Live from Tirana” për të na folur rreth avantazheve dhe disavantazheve të të punuarit online ishte e ftuar në studio sipërmarrësja Vera Remskar, njëkohësisht edhe drejtuese e Fondacionit “Together Albania”. Duke nisur nga eksperienca personale e saj, Vera na tregon se:
Puna online ka qenë më e hershme për mua. Gjatë kohës së pandemisë çuditërisht e kam shijuar. Viti i parë m’u duk mundësi e mirë për të qendruar në shtëpi, më kishte marrë malli për të punuar në kopsht, për t’u marrë me lulet. Vitin e dytë, në vjeshtë, në Slloveni u rimbyllëm dhe aty ka qenë një periudhë e vështirë sepse zgjati shumë dhe dolën në pah efektet negative. Ne kemi qenë të limituar, çdo gjë u mbyll. Unë jetoj jashtë qytetit dhe natyra më ka mbushur por në përgjithësi më ka shërbyer të kuptojë se çfarë ka vlerë në jetët tona, sfidohesh në aspekte të ndryshme. Globalisht pandemia na ka sfiduar. Pasojat do t’i shohim më vonë.
Puna online dhe qasja ndaj ‘Zoom’-it, si ka qenë e gjithë kjo eksperiencë për Verën?
Unë kam filluar me punën online që në vitin 2010-2011 në Skype. Kam filluar edhe kur kjo punë nuk ishte e përhapur. Në botë ka një kohë të gjatë që personat e vetpunësuar kanë punuar online. Ka qenë një zgjedhje jo e keqe, me pluset dhe minuset e saj mirëpo është një formë e mirë që disa barriera të kalohen. Unë kam punuar online por kam qenë prezente edhe fizikisht. ‘Zoom’ është interesante por jo me aq shumë njerëz. Nëse hyn në ‘Zoom’ me njerëz që nuk i njeh komunikimi është i limituar sepse shohim shumë pak nga personi, ndërsa kur ke kontaktin sy më sy është më ndryshe. Dikush në ‘Zoom’ harron mikrofonin, i flet dikush mbrapa, dikush nuk ka make up, ka situata qesharake pafund.(qesh) Duhet krijuar një strukturë, një lloj vetmenaxhimi. Unë e kam një hapësirë në shtëpi që është si zyrë dhe duket sikur jam në punë, aty i kam të gjitha. Mendoj se duhet të bëhet një ndarje nga hapësira private, sepse hapësira të imponon një sjellje të caktuar. Duhet të vishesh si në punë, kjo ruan rutinën, dallimi është që nuk hipën në makinë për të ikur në zyrë. Është orar i plotë. Në kohën e pushimit shëtis në pyll dhe pas asaj vazhdojmë prapë. Ndoshta mungon socializimi, por personalisht e shoh si diçka pozitive. Mendoj se je më e qetë për shkaqe të ndryshme por mangësi e madhe është se nuk ke kontakt personal me partnerë.
Sa i përket luftës ruse në Ukrainë, Vera ka disa fjalë për të shprehur:
Është një situatë që më ka kthyer traumën e luftës në Kosovë dhe e kuptoj se si po ndihen ukrainasit. Mendoj që solidariteti është global por mundësia për të bërë diçka është minimale. Uroj të përfundojë sa më shpejt.