David dhe Victoria Beckham thuhet se janë thellësisht të tronditur nga zhvillimet e fundit me djalin e tyre të madh, Brooklyn Beckham, dhe sipas burimeve pranë çiftit, ata do ta pranonin “pa hezitim” nëse ai do të vendoste të rikthehej pranë familjes.
Pas deklaratës shpërthyese të Brooklyn-it në Instagram, ku ai publikoi një mesazh të gjatë me akuza të rënda ndaj prindërve, duke deklaruar se nuk dëshiron pajtim dhe duke i akuzuar ata se kanë tentuar të shkatërrojnë martesën e tij me Nicola Peltz, situata familjare duket se ka arritur pikën më të ulët.
Një burim i afërt me familjen Beckham ka pohuar se David dhe Victoria janë “të frikësuar se mos e humbasin djalin përgjithmonë” dhe se dera e tyre do të jetë gjithmonë e hapur për të.
Sipas tij, pavarësisht tensioneve, ata vazhdojnë ta duan Brooklyn-in dhe shpresojnë që koha të shërojë plagët.
Janë një familje shumë e lidhur, edhe pse në mënyrën e tyre. Ata janë të tmerruar nga ajo që po ndodh dhe besojnë se me kalimin e kohës, Brooklyn do të kthehet
-citohet të ketë thënë një tjetër burim.
Deklarata e Brooklyn-it ka rikthyer në vëmendje edhe episodin e bujshëm nga dasma e tij në vitin 2022, ku ai pretendoi se Victoria Beckham i kishte prishur vallëzimin e parë me bashkëshorten.
DJ i dasmës, Fat Tony, ka sqaruar më vonë se situata ishte “jashtëzakonisht e sikletshme”, duke konfirmuar se Nicola Peltz u largua nga salla mes lotësh.
Ndërsa publiku dhe mediat vazhdojnë të ndjekin çdo detaj të përplasjes, David dhe Victoria Beckham, sipas burimeve, po zgjedhin heshtjen dhe shpresën, duke besuar se lidhja prind–fëmijë do të jetë më e fortë se çdo konflikt publik.