Izraeli tha se ka kryer sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke vrarë një gjeneral të lartë e dy zyrtarë të tjerë ushtarakë, si dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme. Irani u përgjigj duke lëshuar dhjetëra dronë e raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë njoftoi se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, referuar televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.
Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se vendi kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.
Sulmi do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim. Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike.
Ushtria izraelite raportoi se rreth 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet masive dhe televizioni izraelit njoftoi se agjencia e inteligjencës, Mossad, mund të ketë ngritur një bazë sekrete brenda Iranit si pjesë e këtij operacioni.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim.
Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.
Irani nisi afërsisht 100 UAV [dronë] drejt territorit izraelit, të cilët jemi përpjekur t’i kapim. Sulmet e Izraelit ndaj Iranit përfshinë 200 avionë luftarakë që goditën rreth 100 objektiva në të gjithë Iranin.
Disa vende të Lindjes së Mesme mbyllën hapësirën e tyre ajrore dhe agjencia shtetërore e lajmeve e Jordanisë raportoi se një numër raketash dhe dronësh që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore u rrëzuan. Amerika si aleatja më e ngushtë e Izraelit mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshi në sulme.