Bota

Izraeli nis sulmin në Iran/Bombardohen centralet bërthamore!

Forcat Ajrore Izraelite kanë nisur një seri sulmesh në Iran pasi Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë Izraelin. Në Teheran, burime jozyrtare raportuan shpërthime të forta. Shteti hebraik pretendon se Irani ka materiale sa për prodhimin e 15 bombave.

Presidenti amerikan Donald Trump mblodhi menjëherë kabinetin e emergjencës.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi:

Ne nuk jemi të përfshirë në këtë operacion.

Referuar ushtrisë izraelite, Irani ka materiale për të ndërtuar të paktën 15 bomba bërthamore.

Reagoi edhe kryeministri izraelit Netanyahu duke deklaruar:

Një sulm në zemër të programit të tyre bërthamor, ne do të vazhdojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Sapo kemi realizuar një lëvizje fillimi shumë të suksesshme dhe me ndihmën e Zotit, ne do të arrijmë shumë rezultate të tjera.

Sipas mediave, operacioni i filluar mund të zgjasë për disa javë. Ndërkaq, në rrjetet sociale po përhapet lajmi se ka pasur dhjetëra operacione të synuara në Teheran për të eliminuar udhëheqësit ushtarakë dhe politikë iranianë.

Teherani zyrtar konfirmoi vdekjen (ndoshta nga një operacion i Mossadit) të kreut të Gardës Revolucionare, Hossein Salami.

Po ashtu, dy shkencëtarë kryesorë në programin bërthamor të Republikës Islamike u vranë.

IAEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, po “monitoron nga afër situatën thellësisht shqetësuese në Iran dhe impiantin e pasurimit të uraniumit në Natanz”.

Agjencia është në kontakt me autoritetet iraniane dhe inspektorët tanë po monitorojnë nivelet e rrezatimit.

“Regjimi sionist i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm që me siguri do ta vuajë”, tha udhëheqësi iranian Ali Khamenei, duke përsëritur se Izraeli “do të vuajë një ndëshkim të rëndë”, siç citoi Irna.

Irani nuk ka dyshime që Izraeli sulmoi “me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Irani do t’u japë një përgjigje vendimtare sulmeve të egra të armikut sionist, të kryera me ndihmën e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Një ndëshkim i ashpër e pret Izraelin”, tha zëdhënësi i forcave të armatosura, Abolfazl Shekarchi.

Ushtria izraelite ka sulmuar të paktën gjashtë baza ushtarake rreth Teheranit, përfshirë atë Parchin, një kompleks prodhimi raketash, i dyshuar në të kaluarën se është përfshirë në teste bërthamore, raporton gazeta New York Times.