Takimi historik i presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, në kryeqytetin saudit, Riad, nuk është pritur mirë nga mediat konservatore në Iran.
Ndërsa mediat më të moderuara u mjaftuan me raportime të drejtpërdrejta për takimin, ato konservatore – të shqetësuara nga largimi i papritur i Sirisë nga orbita e Teheranit – kritikuan Trumpin për takimin me ish-kryengritësin që tani është bërë president.
Ky reagim tregon shqetësimin në rritje në Teheran për humbjen e Sirisë, një pjesë kyç e strategjisë rajonale të Iranit. Pas rënies së Bashar al-Assadit në fund të vitit të kaluar, udhëheqja e re siriane ka vepruar shpejt për t’u shkëputur nga Irani, duke kërkuar aleanca të reja me fqinjët arabë dhe duke u afruar me Perëndimin për të hequr sanksionet.
Kjo situatë vjen ndërkohë që Irani është i përfshirë në negociata të ndjeshme bërthamore me Shtetet e Bashkuara, ku koha dhe ndikimi duket se po i rrëshqasin nga duart.
Trump u takua me Sharaan – një ish-komandant kryengritësish, i njohur me nofkën Abu Mohammed al-Jolani – në kuadër të një takimi me udhëheqësit e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, në Riad, më 14 maj, një ditë pasi kishte premtuar se do të hiqte sanksionet ndaj Sirisë.
Presidenti amerikan tha se vendimi i tij synonte t’i jepte Sirisë “një mundësi për madhështi”, ndërsa vendi përpiqet të rindërtohet pas 14 vjetësh lufte civile dhe shkatërrimi ekonomik.
Gazeta konservatore Keyhan, drejtori i së cilës emërohet nga lideri suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei, e përshkroi takimin Trump-Sharaa si një takim mes “terroristit Jolani” dhe “kumbarit të terroristëve”.
Republika Islamike ka akuzuar prej kohësh Shtetet e Bashkuara se financojnë grupe ekstremiste në Lindjen e Mesme për të destabilizuar rajonin dhe ka hedhur poshtë fushatat amerikane kundër këtyre grupeve si farsë.
Agjencia Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (e sanksionuar nga SHBA-ja), e quajti takimin si një hap për “formalizimin e marrëdhënieve të SHBA-së me grupet tekfire” – një term që përdoret nga Irani për të përshkruar grupet militante që, sipas tij, kanë lidhje me shtetet sunite të rajonit.
Mediat e tjera konservatore theksuan se Hayat Tahrir al-Sham, grupi që Sharaa drejtonte para se të rrëzonte regjimin e Assadit në dhjetor, ende figuron në listën e organizatave terroriste të SHBA-së.