Aktualitet Politikë

Tensione në protestë, Vokshi dhe Noka përplasen me Policinë: Do nisemi drejt Surrelit…

Deputetja Albana Vokshi dhe deputeti Flamur Noka janë përplasur me policët, teksa protesta në rrethrrotullimin e ish-sheshit “Shqiponja” është tensionuar.

Shkak është bërë, sipas pretendimeve të deputetit Flamur Noka, afrimi i efektivëve të policisë më pranë protestuesve.

Këtë gjest ata e kanë marrë si provokim, duke lëshuar thirrje dhe ofendime në drejtim të uniformave blu.

Deputeti Flamur Noka i ka bërë thirrje policëve të largohen, në të kundërt, siç tha ai “do marshojnë drejt Surrelit”.

“Largohuni, në të kundërt Surreli do të jetë destinacioni i protestuesve. Drejtor largo policinë se nuk do gjeni…”, deklaroi Noka.

Kujtojmë se sipas njoftimit, protesta e PD-së me bllokimin e rrugëve është parashikuar të zgjasë tre orë, deri në 20:00.

Akset kryesore të vendit që janë paralizuar nga protesta e opozitës janë: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Shumica e deputetëve të opozitës janë vendosur në Tiranë, kurse pjesa tjetër në zonat ku po zhvillohet protesta.

Prej orës 17:00 deputetë të opozitës me mbështetësit e tyre janë vendosur në rrethrrotullimet kryesore me qëllim bllokimin e lëvizjes së automjeteve  si pjesë e aksionit të mosbindjes civile, pas të cilit janë plotësimi i kërkesave për lirimin nga masa e ‘arresit shtëpiak’ të kreut të tyre Sali Berisha dhe qeveri teknike që do e çojë vendin në zgjedhjet e ardhshme.

Dhjetëra forca policore dhe zjarrfikëse ndodhen në terren për të shmangur çdolloj përshkallëzimi të tubimit.