Konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur në ditën e 703-të. Të paktën gjashtë persona gjetën vdekjen dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm të dyshuar terrorist në hyrje të kryqëzimit Ramot Alon në Jeruzalem, sipas shërbimit të emergjencës së shtetit hebre, “Magen David Adom”. Dy atentatorët u “neutralizuan” nga policia izraelite.
Channel 12 raportoi se dy sulmuesit hipën në një autobus në periferi të Jeruzalemit dhe hapën zjarr mbi pasagjerët. Hamasi reagoi duke deklaruar:
Ne e bekojmë këtë veprim heroik, një përgjigje të natyrshme ndaj krimeve të pushtimit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur një propozim tjetër për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit. Sipas Donald Trump-it, Izraeli ka pranuar kushtet e marrëveshjes amerikane dhe “një marrëveshje do të arrihet së shpejti”.
Eshtë koha që edhe Hamasi t’i pranojë ato. Nëse nuk e bëjnë, do të ketë pasoja të rënda. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër.
Grupi fundamentalist ka deklaruar gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e negociatave, por theksoi “disa pika për t’u sqaruar” para se të formalizojë diçka. Sipas draftit të armëpushimit të propozuar nga SHBA-të, të 48 të burgosurit izraelitë do të liroheshin ditën e parë në këmbim të mijëra militantëve.
Një zyrtar izraelit tha se Izraeli po e “shqyrton seriozisht” propozimin e Trumpit, por nuk dha më shumë hollësi. Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz në jug të Izraelit e mori rreth 250 pengje, referuar shifrave izraelite.