Bota

Trump synon që së shpejti të ketë marrëveshje për Gazën!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, la të kuptohet se një marrëveshje për Rripin e Gazës mund të arrihet së shpejti për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e Bashkimi Evropian.

Paraprakisht, Trump u shpreh se po e paralajmëronte “për herë të fundit” Hamasin që t’i pranojë kushtet e akordit. Duke folur për gazetarët teksa dje në mbrëmje mbërriti në Uashingtonin, pas një udhëtimi të shkurtër në Nju Jork, Trump deklaroi se e ka diskutuar marrëveshjen në avion.

Ne po punojmë për një zgjidhje që mund të jetë shumë e mirë.

Presidenti nuk pranoi të jepte më shumë hollësi, por shtoi se “do të dëgjoni për të shumë shpejt”.

Po përpiqemi ta përfundojmë këtë, t’i kthejmë pengjet.

Më herët dje, shefi i Shtëpisë së Bardhë e paralajmëroi Hamasin që t’i pranonte kushtet e marrëveshjes, pa dhënë ndonjë shpjegim.

Izraelitët i kanë pranuar kushtet e mia. Eshtë koha që Hamasi t’i pranojë gjithashtu, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. E kam paralajmëruar Hamasin për pasojat e mospranimit. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër!

Më vonë, Hamasi raportoi se ka pranuar disa ide nga pala amerikane përmes ndërmjetësve, për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe se po shtjellonte mënyrat për t’i zhvilluar ato ide. As Hamasi nuk dha hollësi për marrëveshjen e mundshme.

Në një deklaratë, grupi radikal palestinez përsëriti gatishmërinë për bisedime në lidhje me lirimin e të gjitha pengjeve, me kushtin që “lufta të shpallet shumë qartë e përfunduar” dhe që forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga toka palestineze.

Të shtunën, N12 News e Izraelit raportoi se Trump i ka paraqitur një propozim të ri për armëpushim Hamasit.

Sipas saj, Hamasi do t’i lironte të 48 pengjet e mbetur, në ditën e parë të armëpushimit, në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe do të negocionte përfundimin e luftës gjatë një armëpushimi në enklavë.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli po e “shqyrton seriozisht” propozimin e Trumpit, por nuk dha më shumë hollësi. Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz në jug të Izraelit e mori rreth 250 pengje, referuar shifrave izraelite.