Teyana Taylor është një nga surprizat më të bukura të këtij viti në garën për Çmimet Oscar. Aktorja është nominuar për herë të parë në ceremoninë e 98-të të Academy Awards, në kategorinë “Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor”, falë interpretimit të saj në filmin One Battle After Another.
Në një intervistë për Variety, Taylor ka rrëfyer se lajmi e ka tronditur emocionalisht dhe se ende nuk arrin ta besojë plotësisht atë që po përjeton.
Ajo tregoi se ankthi dhe emocionet e forta nuk e lanë të flinte natën para shpalljes së nominimeve.
Tingëllon si çmenduri, në kuptimin më të bukur të fjalës. Jam pa fjalë. Zëri pothuajse më është zhdukur. Unë dhe familja ime po bërtisnim nga gëzimi. U rrotullohesha në shtrat gjithë natën, duke ditur që nominimet do të shpalleshin në orën 8:30 të mëngjesit. Trupi im më thoshte: ‘Zgjohu, nuk e përballon dot këtë emocion’. Nuk e marr asgjë si të mirëqenë. Jam thellësisht e prekur
-u shpreh ajo.
Aktorja zbuloi gjithashtu se mbrëmjen para shpalljes së nominimeve e kishte kaluar duke parë filmin ikonë “Pretty Woman”, duke e përmendur Julia Roberts si një nga frymëzimet e saj më të mëdha artistike.
Duke folur për rrugëtimin e saj nga muzika drejt aktrimit, Taylor tha se pas tërheqjes nga skena muzikore në vitin 2020, kishte ndier nevojën për një ndryshim të madh në jetën e saj profesionale.
“Pretty Woman” është një nga filmat e mi të preferuar dhe replika ‘Dua përrallën’ më përfaqëson plotësisht sot. Pas largimit nga muzika, ndihesha sikur isha mbyllur në një kuti dhe doja të hapja krahët. Tani e di që mund të ushqej gjithë kopshtin tim, jo vetëm një lule
-përfundoi Teyana Taylor.