Rajoni

Thika ndaj gruas dhe vajzës në Prizren/Nënë e bijë në gjendje të rëndë!

Një person në Prizren të Kosovës u arrestua pasi goditi me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tyre të mitur, duke i plagosur rëndë. Njoftohet se u dërguan për trajtim në spital.

Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë.

Ngjarja u raportua në orën 00:20 të mëngjesit dhe patrulla policore me të shkuar atje, hasi në bashkëshorten e të arrestuarit e cila gjendej në rrugë me “lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara nga thika”.

Gruas iu ofrua ndihmë mjekësore nga policët deri në vajtjen e ekipit të urgjencës.

Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje, u theksua në njoftim.

Autoritetet thanë se në hyrje të banesës identifikuan e arrestuan të dyshuarin.

Prokuroria deklaroi se po vazhdon hetimet për këtë rast e do të parashtrojë në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

Vitet e fundit, Kosova ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje. Sipas të dhënave të policisë, vitin e kaluar ishin 2 mijë e 959 raste të raportuara për dhunë në familje, ndërsa më 2023-shin, 2 mijë e 460.

Në shumicën dërrmuese të tyre, viktima janë gratë. Nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, dy prej tyre vitin e kaluar. Në të shumtën e rasteve, autorë të këtyre krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët.

Në shtator të vitit 2020, Kosova ka miratuar Konventën e Stambollit, të hartuar nga Këshilli i Evropës si instrument që detyron shtetet të luftojnë dhunën kundër grave dhe dhunën në familje.

Megjithatë, organizatat që merren me të drejtat e grave shpesh kanë kritikuar institucionet e drejtësisë, duke thënë se “dënimet e lehta” po i “nxisin” autorët e këtyre veprave.