Kosova është tronditur nga krimi në Prizren ku një shtetas turk me banim në këtë qytet, dyshohet se masakroi për vdekje vajzën e tij 15-vjeçe dhe plagosi rëndë vajzën tjetër. Policia njofton se lëndime mori edhe gruaja 35-vjeçare e të dyshuarit.
I dyshuari M.G., i lindur në vitin 1981 raportohet se ka plagosur veten dhe u dërgua për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas forcave të rendit, urgjenca mjekësore nuk ka arritur të ndërhyjë menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi i dyshuari qëndronte aty me thikë në dorë. Për pasojë, aty u dërguan disa patrulla policore.
Vajza e lënduar rëndë u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Policia konfirmoi se të gjithë personat e përfshirë janë shtetas turq, me banim të përkohshëm në Prizren. Rastin e tmerrshëm e dënoi edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht”, shkroi Haxhiu.
Ndërkaq, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehu shqetësim të thellë në lidhje me vrasjen e 15-vjeçares në Prizren. Vrasjen e cilësoi “akt të rëndë femicidi që nxjerr në pah dhunën sistematike ndaj grave”.
Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon reagim urgjent e të përgjegjshëm nga institucionet për të parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur gratë. RrGK ofron këshillim ligjor falas në numrin 048 105 800 për viktimat e dhunës me bazë gjinore.