Design Lifestyle Travel

Thuajini lamtumirë vapës!/Gewan, ishulli me “pyll” të kondicionuar!

Kur vera mbërrin në Katar, shumica e njerëzve tërhiqen brenda gjatë orëve më të nxehta të ditës. Por kjo po ndryshon. Në ishullin Gewan, shtesa më e re e një arkipelagu artificial pranë bregut të kryeqytetit Doha vizitorët tani mund të shëtisin rehat në mes të ditës së verës falë një risi të pazakontë: një “pyll” me kondicioner.

Në boshtin qendror të ishullit shtrihet një shëtitore 450 metra e gjatë, e njohur si Crystal Walk. Edhe pse është e hapur ndaj elementeve të jashtëm, temperatura e saj rregullohet artificialisht. Shëtitorja mbulohet nga struktura që duken si pemë, të cilat ofrojnë hije nga dielli dhe ndihmojnë në mbajtjen e ajrit të ftohtë që del nga ventilatorët poshtë.

Kondicionimi i ajrit në ambiente të jashtme nuk është risi në Katar. Në parqe të Dohas, si Al Gharrafa dhe Umm Al Seneem, njerëzit mund të vrapojnë në shtigje të ftohura dhe të mbuluara me hije, ndërsa zona tregtare në natyrë përfitojnë gjithashtu nga ajri i ftohtë që del nga toka. Por Gewan e çon këtë ide edhe më tej. Crystal Walk ofron hije nga degë artificiale të mbuluara me rreth 10 tonë kristale, prej nga vjen edhe emri i saj. Këto struktura përdorin gjithashtu panele diellore për të kthyer rrezet e forta të diellit në energji elektrike që ndihmon në furnizimin e sistemit të kondicionimit. Për vizitorët ka edhe burime të vogla uji për freskim.