Nga sot, një nga rrugët e Parkut të Liqenit në kryeqytet do të mbajë emrin e një shkrimtari dhe gazetari të njohur italian, i cili ka shkruar e rrëfyer jetën dhe peripecitë e emigrantëve shqiptarë. Ai është Alessandro Leogrande. Tabela me emrin e tij u zbulua nga Kryebashkiaku Erion Veliaj, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo. Ndërkaq Veliaj tha se: “Jam shumë krenar që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ‘Alessandro Leogrande’ një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, po mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështje të shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai. Ky është parku më popullor në Tiranë dhe zona më e frekuentuar nga qytetarët, ndaj jam i lumtur që ky vend, i cili shërben si hapësirë reflektimi, meditimi e leximi do të ketë emrin e Leogrande-s. Alessandro Leogrande, një nga zërat më autoritarë të medias italiane, ishte shkrimtar dhe gazetar, por mbi të gjitha një intelektual që zotëronte virtytin e rrallë për të rrëfyer realitetin dhe historitë me kthjelltësi, analizë dhe në të njëjtën kohë në mënyrë poetike.