Aktualitet

Tiranë, dyshohet se plagosi nga pakujdesia me armë zjarri një 34-vjeçar, vihet në pranga!

Një ngjarje e rëndë u shënua pasditen e djeshme në Valias, ku një 34-vjeçar, Franci Xhaferri u plagos me armë zjarri. Specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së informacionit nga spitali, kanë nisur menjëherë hetimet duke dokumentuar ngjarjen, që çoi në arrestimin e dy personave.

Sipas policisë, ngjarja u regjistrua në një lokal në zonën e Valiasit, aty ku Besnik Koçiu, 51 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri Franc Xhaferrin, 34 vjeç, të cilët jetonin në të njëjtën lagje. Pas plagosjes në këmbë, Franci Xhaferri është transportuar me urgjencë në spital dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas hetimeve të shpejta, autoritetet arritën të identifikojnë dhe kapin B.K., i cili u arrestua për akuzën e plagosjes nga pakujdesia. Gjatë kontrollit të banesës, iu gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit, një pistoletë, e dyshuar se është përdorur në kryerjen e plagosjes.

Gjithashtu, është arrestuar edhe i dëmtuari, F.Xh., pasi ai nuk ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit. Ai ka refuzuar të japë informacion të mjaftueshëm për rrethanat e ngjarjes dhe personin e dyshuar si autor të plagosjes, duke penguar hetimin.

Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimi për ngjarjen vazhdon.