Një avion i linjës “Blue Islands” u detyrua të bënte ulje emergjente, pasi pasagjerët dëgjuan zhurma “përplasjesh” që vinin nga njëri prej motorëve. Ngjarja ndodhi në fluturimin SI-5581 nga Dublini drejt ishullit Jersey.
Vetëm pak minuta pas ngritjes, në një lartësi prej 4000 metrash, ekuipazhi raportoi defekt në motorin e djathtë, i cili u fik menjëherë. Avioni qëndroi në ajër për 20 minuta dhe më pas u kthye në Aeroportin e Dublinit, ku u ul pa probleme rreth 30 minuta pas nisjes.
Një pasagjer tha se fluturimi kishte pasur rreth një orë vonesë para nisjes, ndërsa sipas portalit “Aero Inside”, motori i dëmtuar lëshonte tinguj të pazakontë përpara se të ndalej.
Më herët, një tjetër incident ajror shkaktoi shqetësim në Mbretërinë e Bashkuar. Një fluturim nga Pisa drejt Glasgout po në tetor, u detyrua të bënte ulje urgjente në Manchester, pasi mbeti me vetëm 220 kg karburant, mjaftueshëm vetëm për 5-6 minuta fluturimi.
Pas tri përpjekjesh të dështuara për të zbritur në aeroportet e Prestwick-ut dhe Edinburgh-ut, piloti lëshoi sinjalin emergjent “7700”. Një pasagjer e përshkroi përvojën si “skena nga një film katastrofe”, teksa njerëzit në bord luteshin mes erërave të fuqishme të stuhisë Amy, që goditi Britaninë e Madhe, me shpejtësi deri në 160 km/orë.