Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka veçuar çështjen për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka nga të pandehurit e tjerë që ndodhen në kërkim, si dhe pranoi kërkesën e SPAK-ut për kalimin e tij në gjykim. Zarka është marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve të aplikacionit Sky Ecc.
Nga ana tjetër, gjykata ka veçuar dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela, si dhe Astrit Vladi. Kjo për shkak se ende nuk janë arrestuar nga policia dhe vijojnë të jenë në kërkim. Çështja për ta u pezullua për një vit. Zarka u arrestua më 29 korrik të vitit të kaluar, me kërkesë të SPAK-ut e të firmosur nga GJKKO-ja.
Sipas SPAK-ut, të dyshuarit kanë ndërhyrë, duke marrë e dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë në 8 çështje penale, 4 nga të cilat të lidhura me dosjen “Toyota Yaris”, që nga koha kur dosja ishte te Prokuroria e Krimeve te Rënda e më pas kur shkoi në Gjykatën e Tiranës, në hetimet paraprake e deri te hetimet pasurore ndaj personave të akuzuar.
Gjithçka është zbuluar nga komunikimet ne SKY ECC dhe Enchro Chat, ku mësohet se vetëm prokurori Aurel Zarka ka pasur 4 kode, ku komunikonte me Dautajn, edhe kjo me llogari të saj në platforma komunikimi. Mes çështjeve të tjera ku ka ndikuar prokurori është edhe ajo për hetimin pasuror ndaj Suel Çelës, i nisur nga operacioni “Forca e Ligjit”. Këtu kryeprokurori i Vlorës ka tentuar të ndikojë të prokurorët në Prokurorinë e Posaçme.