Sport

Tradhtia e Adrian Bajramit, reagojnë trajneri dhe drejtori teknik i Zvicrës: Jemi të kënaqur!

Adrian Bajrami vendosi të braktiste Kombëtaren shqiptare, duke kaluar zyrtarisht me kombëtaren e Zvicrës. Mbrojtësi shqiptar që është aktivizuar në 3 ndeshje miqësore me kuqezinjtë, ishte në listë për dy ndeshjet e radhës ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë, por vetëm në ditën e parë të grumbullimit, u njoftua se ai do të luajë për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë. Në lidhje me këtë vendim të mbrojtësit 23-vjeçar, ka reaguar edhe vetë trajneri i Zvicrës, Murat Jakin.

LEXO EDHE: Rekord shpenzimesh për Premier Ligë në merkato, Liverpuli nuk kursehet aspak!

Ai u shpreh në konferencë shtypi se e ka ndjekur futbollistin.

“Ai është një lojtar interesant, zhvillimin e të cilit po e monitorojmë nga afër”, u shpreh trajneri Murat Jakin.

Ndërkohë, edhe drejtori teknik i Zvicrës, Pierluixhi Tami ka reaguar në lidhje me këtë vendim, duke u shprehur se stafi ka qenë në kontakt me futbollistin dhe shkak për këtë, është bërë edhe fakti që Zvicra vetëm në ditët e fundit humbi dy lojtarë. Leon Avdullahu vendosi të largohej duke përfaqësuar Kosovën, ndërkohë që Eman Kospo u largua nga Zvicra dhe kaloi me Bosnjen.

LEXO EDHE:  Pasi e shkarkuan pas vetëm dy javësh, Erik ten Hag kritikon Leverkusenin: Një trajner meriton kohë!

“Kemi qenë në kontakt me Adrianin dhe jemi të kënaqur me vendimin e tij për të luajtur për Zvicrën”, u shpreh drejtori teknik i Zvicrës.

Zvicra do të luajë dy ndeshje zyrtare pas pak ditësh, ku fillimisht do të presë Kosovën e më pas do të presë Slloveninë dhe ende nuk dihet nëse Bajrami do të jetë i gatshëm për këto dy takime apo jo. Fakti që 23-vjeçari ka zhvilluar vetëm ndeshje miqësore me Kombëtaren tonë, e lejon atë që të bëjë ndryshimin e skuadrës të cilën do të përfaqësojë.