Rajoni

Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, dy të arrestuar në Kukës/Sekuestrohen 8 pistoleta!

Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen. Në pranga ranë dy persona nga Kosova, të identifikuar si shtetasit Shkëlqim Qenaj e Avdulla Mallaki. Armët i trafikuan përmes kufirit të gjelbër me Kosovën, me qëllim shitjen në Shqipëri. U sekuestruan 8 pistoleta në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalibri”.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh.Q., 31 vjeç dhe A.M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren.

Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarrri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar. Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre.