Në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u për trafik droge, në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, Juxhin Drazhi u ekstradua nga Spanja, pas arrestimit më 8 gusht. Me kërkesë të SPAK-ut, në prill, GJKKO-ja i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për trafikim të lëndëve narkotike në Norvegji e Belgjikë, si edhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Pjesë e grupit të Elvis Doçit i njohur edhe si Visi i Pojës, 34 vjeçari u arrestua nga autoritetet spanjolle në një shtëpi luksoze në Almuñécar (Granada), në të cilën konstatuan se po merreshin masa të shumta sigurie. Banesa ndodhet në terren të lartë, që të monitoronte mjedisin përreth dhe policinë.
Drazhi rezulton edhe personi i fundit që ka takuar Miklovan Dakajn, i cili rezultonte i zhdukur që prej muajit maj dhe u gjet i vdekur në fillim të shtatorit në Marbella të Spanjës. Më herët, SPAK-u i sekuestroi një kompani, si dhe 9 prona.
Njoftimi i policisë:
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Spanja, 1 shtetas që akuzohet nga GjKKO, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë.
Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Madrid, u finalizua në kuadër të operacionit “The ëanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
J. D., 34 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se shtetasi J. D. ka qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe në Belgjikë.