Futbolli anglez është tronditur nga një ngjarje e rëndë, pasi futbollisti i ri Billy Vigar ka ndërruar jetë në moshën 21-vjeçare, pas një dëmtimi të rëndë që pësoi gjatë një ndeshjeje në Angli.
Ish-sulmuesi i akademisë së Arsenalit u përplas me një mur betoni në përpjekje për të mbajtur topin në lojë, gjatë takimit të zhvilluar të shtunën në stadiumin e Wingate & Finchley, në kuadër të Isthmian League Premier Division. Goditja fatale e çoi menjëherë në spital, ku u vendos në koma të induktuar.
Familja e tij konfirmoi lajmin e dhimbshëm me një deklaratë prekëse:
Pas një dëmtimi të rëndë në tru, Billy u vendos në koma të induktuar. Të martën iu nënshtrua një operacioni për të ndihmuar në rikuperimin e mundshëm, por, fatkeqësisht, dëmtimi ishte tepër i rëndë. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së enjtes. Jemi të shkatërruar, por edhe thellësisht të prekur nga dashuria dhe mbështetja që Billy ka marrë nga bota e sportit.
Klubi i Chichester City, ku ai ishte pjesë, anuloi ndeshjen e fundjavës dhe publikoi një mesazh ngushëllimi:
Me shumë trishtim konfirmojmë ndarjen nga jeta të Billy Vigar. Ai ishte një djalë i jashtëzakonshëm dhe një pjesë e çmuar e klubit tonë. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe miqtë e tij.
Vigar, që kishte qenë pjesë e ekipit U21 të Arsenalit dhe kishte luajtur gjithashtu me Derby County dhe Eastbourne Borough, la pas një kujtim të mirë në çdo klub ku ishte aktiv.
Ngjarja ka prekur thellë komunitetin e futbollit në Angli, ndërsa në nder të tij janë shtuar thirrjet që në ndeshjet e fundjavës në ligat jo-profesionale të mbahet një minutë heshtje.