Aktualitet

Tragjedi në Maqedoni të Veriut/ Përfshihet nga flakët lokali i natës, 51 të vdekur! (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një lokal nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku raportohet se kanë vdekur të patën 51 persona.

Sipas mediave maqedonase, mësohet se në lokalin në fjalë ka rënë zjarr rreth orës 3 të mëngjesit, për shkak të një shpërthimi të dyshuar nga mjete piroteknike, që janë përdorur gjatë një performance nga grupi muzikor maqedonas DNA.

Mësohet se pas ngjarjes janë arrestuar disa persona që kanë pasur lidhje me organizimin e kësaj feste private, dhe se Prokuroria ka thënë se të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike Koçan janë në terren.

Deri më tani në Klinikën për sëmundje kirurgjikale “Naum Ohridski” në Shkup janë dërguar 27 persona të lënduar.

Mbi 100 të rinj janë lënduar, sipas informacioneve fillestare nga ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrës për Menaxhimin e Krizave.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski tashmë ndodhet në vendin e aksidentit dhe priten informacionet e para për tragjedinë.

Në vendin e aksidentit ka shkuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski.