Nuk kanë fund tragjeditë me emigrantët në brigjet greke. Të paktën katër vetë gjetën vdekjen pasi një varkë me dhjetëra persona u fundos në veri-perëndim të ishullit të Kretës, në Greqi. Lajmin e njoftoi Roja Bregdetare Greke.
Rreth 90 refugjatë të tjerë arritën të dilnin në breg, siç e konfirmoi sot një zëdhënës i Rojës Bregdetare, për agjencinë e lajmeve DPA. Roja Bregdetare Greke u angazhua në një operacion kërkim-shpëtimi për të gjetur sa më shumë të mbijetuar në radhët e emigrantëve.
Dy ditë më parë, tre persona u mbytën kur një tjetër mjet lundrues u fundos në detin Egje, pranë ishullit Folegandros. Dhjetëra njerëz që ishin në bordin e asaj varke, ende nuk janë gjetur e shanset që të kenë mbijetuar, për fat të keq janë shuar.
Tragjeditë ndodhin teksa emigrantët përpiqen të kalojnë në Bashkimin Europian, fillimisht në territoret e Greqisë ose Italisë. Për këtë, shfrytëzojnë nisjen nga bregu turk i Egjeut.
Sipas autoriteteve europiane, rreth 11 mijë njerëz kanë arritur në Itali gjatë muajve të fundit, por sërish nuk ka shifra zyrtare mbi personat që fatkeqësisht nuk ia dolën dhe u përpinë nga ujërat në ato që kthehen në udhëtime të vdekjes. Shpesh herë, kalimi bëhet me varka të vogla, jashtë çdo kushti teknik që shiten nga trafikantët e qenieve njerëzore e shfrytëzohen prej tyre, kundrejt pagesave.