Aktualitet Rajoni

Tragjedia në Koçan/ Pas futbollistit të Shkupit, humbin jetën edhe dy sportistë të tjerë

Futbollisti i Shkupit, Andrej Lazarov humbi jetën dje në tragjedinë e Koçanit. Përveç tij, kanë ndërruar jetë edhe  portieri Damjan Taneski (18 vjeç) dhe basketbollisti Petar Ivanovski (20 vjeç). Taneski ishte pjesë e përfaqësueses së të rinjve në futboll dhe e nisi karrierën te klubi Mal Ajax në Shtip. Ai luajti për ekipet e të rinjve të Vardarit nga Shkupi dhe më pas ishte anëtar i Bregallnicës së Shtipit dhe Kit-Go nga Pehçeva.

Nga ana tjetër, vdekjen e Ivanovskit e ka konfirmuar edhe klubi i tij, Dino Basket, i cili përmes një mesazhi emocionues ka shprehur pikëllimin për humbjen e lojtarit të tyre të talentuar.

“Me pikëllim të madh morëm lajmin se bashkëlojtari ynë Petar Ivanovski ishte ndër viktimat e tragjedisë. Petari ishte jashtëzakonisht i respektuar në mesin e miqve dhe bashkëlojtarëve dhe si MVP i turneut U-14, ai la gjurmë të thella në botën e basketbollit. Ishte një person i mrekullueshëm, një luftëtar me zemër të madhe”, ka shkruar Dino Basket.

LEXO EDHE: Tragjedia me 59 viktima, jep dorëheqjen kreu i komunës së Koçanit!

Futbollisti Andrej Lazarov, 25 vjeç, i cili ishte në mesin e të lënduarve nga zjarri ne diskotekën e Koçanit, fatkeqësisht humbi jetën në spitalin e Shtipit.

Lazarov, i cili ishte anëtar i Shkupit që nga vera, pësoi djegie në trup që rezultuan të rënda për të mbijetuar.

Klubi i tij më herët njoftoi se ai ishte jashtë rrezikut, por situata më vonë ndryshoi dhe ai fatkeqësisht iu humbi jetën prej plagëve.

25-vjeçari kishte një karrierë të pasur në Maqedoni, teksa kishte luajtur edhe në Kroaci me Goricën dhe Rudes.

Njoftimi i Shkupit:

Edhe pse paraprakisht nga familjarët e tij kishim informacione se është mirë, me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, njoftojmë se futbollisti ynë, Andrej Lazarov, është konfirmuar mes viktimave të zjarrit tragjik që ndodhi gjatë natës në Koçan.

Si një shpirt hero që ishte, Lazarov humbi jetën duke u përpjekur të ndihmojë të tjerët të shpëtojnë nga ambienti i kapluar nga zjarri. Ai u helmua nga tymi gjatë përpjekjeve të tij për të shpëtuar jetë, duke treguar guxim dhe humanizëm deri në momentin e fundit. Veprimi i tij heroik do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, si një dëshmi e karakterit të tij fisnik dhe zemrës së tij të madhe.

Kjo është një humbje e madhe për klubin tonë, për shokët e ekipit dhe për gjithë komunitetin e futbollit. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen që ndjejmë në këto momente, në këtë tragjedi prej më të mëdhave në histori që e ka kapluar klubin tonë!

FC Shkupi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe gjithë familjes së madhe të klubit tonë.

Adrej ishte vetëm gjashtë muaj pjesë e Shkupit, por emri i tij do të mbetet i pashlyer gjithmonë si pjesë e skuadrës sonë.

Kujtimi për te do të mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat tona!