“Jam thyer dhe më është thyer shpirti”, me këto fjalë e nisi kryeministri Hristijan Mickoski fjalimin e tij pas tragjedisë në Koçan.
“Do të ketë hapa dhe vendime me të cilat publiku nuk është mësuar. Por ndryshimet nisin nga ne”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij sot para opinionit.
“Jam i vendosur dhe do të veproj me vendosmëri. Nuk dua që kjo ngjarje të politizohet, se dikush po përpiqet të bindë një palë tjetër për përgjegjësi. Kjo nuk është një betejë ndërpartiake, kjo është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve”, tha Mickoski.
LEXO EDHE: Maqedoni e Veriut/ Qeveria merr vendim: 7 ditë zie në gjithë territorin pas tragjedisë në Koçan!
“Në ditët në vijim do të marrim një sërë masash që do të thonë shumë, në luftën për këtë vend dhe në emër të të gjithë viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre”, tha Mickoski.
Më herët, Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova në një konferencë të jashtëzakonshme, foli për zjarrin në një diskotekë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë.
Përveç të tjerash, ajo tha se duhet të ketë përgjegjësi për këtë tragjedi, ku theksoi se asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e një të riu.
“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova, teksa theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.
“Të bashkojmë forcat, të mos sakrifikojmë më kurrë për përfitimin e individëve, asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e një të riu”, përfundoi presidentja e RMV-së.