Shqipëria shënoi përkeqësim në renditjen globale të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Nga 42 pikë në vitin 2024, përfundoi në 39 pikë në raportin e 2025-ës, duke humbur 3 pikë dhe rënë me 11 vende në renditjen globale të Transparency International. Në raportin e vitit të kaluar, ishim të 80-ët mes 182 shteteve e aktualisht të 91-ët.
Rënie ka pësuar edhe Kosova, që në raportin e këtij viti renditet e 76-ta, tre pozicione më poshtë se një vit më parë, kur ishte e 73-ta. Po ashtu, Kosova ka shënuar regres edhe në rezultat, duke humbur një pikë në indeks: nga 44 në vitin paraprak, në 43, në raportin e 2025-ës.
Sipas Transparency International, rezultati me pikë pasqyron nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0 (korrupsion shumë i lartë) deri në 100 (sektor publik shumë i pastër). Ndërkohë, renditja globale tregon pozicionin relativ të një vendi krahasuar me shtetet e tjera të përfshira në indeks.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i vitit 2025 tregon se korrupsioni mbetet një kërcënim serioz në çdo pjesë të botës, megjithëse ka shenja të kufizuara progresi.
Po ashtu, raporti thekson se udhëheqësit duhet të veprojnë për të trajtuar abuzimet me pushtetin dhe faktorët më të gjerë që nxisin këtë rënie, siç është zvogëlimi i kontrolleve e balancave demokratike dhe sulmet ndaj shoqërisë civile të pavarur. Ky raport rendit 182 vende dhe territore në mbarë botën sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik.
Raporti nënvizon se ndërsa 31 vende kanë ulur ndjeshëm nivelet e korrupsionit që nga 2012-ta, pjesa tjetër nuk po arrin ta zgjidhë problemin. Ka mbetur në vend ose është përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë. Mesatarja globale ka rënë në një minimum të ri prej 42 pikësh, ndërsa më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50. Dhe njerëzit po e paguajnë çmimin, pasi korrupsioni çon në spitale të pafinancuara, mbrojtje nga përmbytjet të pandërtuara e dëmton shpresat dhe ëndrrat e të rinjve.
Transparency International sqaron se të dhënat e përdorura për përpilimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit mbulojnë forma të ndryshme të korrupsionit në sektorin publik, përfshirë: ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve publike, përdorimin e funksioneve shtetërore për përfitime personale pa pasoja ligjore, aftësinë e qeverive për të luftuar korrupsionin, burokracinë e tepruar, emërimet politike e nepotike në administratë, mungesën e transparencës në deklarimin e pasurisë e të konfliktit të interesit, mbrojtjen ligjore të sinjalizuesve, si dhe kapjen e shtetit dhe qasjen në informacionet publike.
Ndërkohë, ky indeks nuk mat perceptimin apo përvojën direkte të qytetarëve me korrupsionin, as nuk përfshin çështje si evazioni fiskal, rrjedhjet e paligjshme financiare, pastrimi i parave, korrupsioni në sektorin privat, apo aktivitetet e ekonomisë informale.