Një 58-vjeçar është ekzekutuar me tre plumba në Vlorë. Sipas policisë, Renato Hoxhaj është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në “Hajro Çakërri” pranë banesës së tij. Ai punonte prej pesë vitesh si roje në një objekt në ndërtim aty pranë. Dy plumba i ka marrë në kokë dhe një në trup. Policia po kontrollon kamerat e sigurisë së zonës, për të parë nëse kanë kapur ndonjë gjurmë të autorit/ve. 58-vjeçari, baba i dy fëmijëve të rritur, bashkëjetonte me një grua, teksa ishte divorcuar prej vitesh nga bashkëshortja. Nga banorët njihej si njeri i mirë dhe pa probleme.
Ka qenë bashkëjetuesja e tij, e cila pasi ka dëgjuar zhurma, e ka parë të vrarë dhe ka lajmëruar policinë.
Dyshohet se autor/ët mund të këtë hyrë edhe nga një rrugë tjetër pas lagjes e cila ishte si shteg pa kamera sigurie dhe në errësirë totale.
Njoftimi i Policisë:
“Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi R. H., 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”
LEXO EDHE: Trafik droge nga Tajlanda në Patra, dy grekë dhe një shqiptar në pranga!
Nuk dihet ende me çfarë lloj arme është qëlluar, pasi banorë të zonës nuk kanë dëgjuar të shtëna. Hoxhaj nuk ishte një emër i njohur për policinë, megjithatë po hetohet nëse mund të ketë pasur probleme në të kaluarën.
Policia ka ngritur menjëherë një grupin hetimor dhe po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, për të siguruar provat dhe për të identifikuar autorin ose autorët e mundshëm.