Aktualitet Rajoni

Trafik droge nga Tajlanda në Patra, dy grekë dhe një shqiptar në pranga!

Dy shtetas grekë nga Patra në Greqi dhe një shqiptar janë tre personat e arrestuar për trafik dhe import droge nga jashtë. Kjo rezultoi gjatë një operacioni të punonjësve të policisë së Departamentit të Narkotikëve pranë nëndrejtorisë së Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Patras.

Ata u kapën në flagrancë teksa merrnin tre pako, të cilat nga Tajlanda, shkuan në degën qendrore të Postës Helenike (ELTA) në Patra, nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos”.

Paketat me një kilogram marijuanë e me vlerë 23 mijë euro janë dërguar të regjistruara me marrës që rezultonin të ishin nga Patra. Kur kanë shkuar në Postë dhe i kanë marrë, menjëherë ka ndërhyrë policia greke duke i arrestuar.

Mes të prangosurve është edhe një person që dyshohet se ka lidhje me pronësinë e një lokali të njohur nate në qytet. Në kontrollin e një shtëpie që ai ruan, policia gjeti dhe sekuestroi 36 gramë kokainë e dy peshore elektronike preçize.

I riu shqiptar njihet për autoritetet vendase të rendit, pasi u arrestua sërish disa ditë më parë për një rast droge.

Informacioni për veprimin e tyre ra në vëmendjen e oficerëve të Departamentit të Drogës së Patrës rreth një muaj më parë dhe në bashkëpunim me Doganën u identifikua ngarkesa e paligjshme, e cila hyri në vend me rrugë ajrore nga Tajlanda dhe më pas u shpërnda në selinë e ELTA-s.