Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i gatshëm të presë “disa ditë” për përgjigjen e Iranit ndaj propozimit më të fundit të Uashingtonit që synon përfundimin e luftës, por paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet shpejt, nëse Teherani nuk jep “përgjigjet e duhura”.
Më besoni, nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka mund të përshpejtohet. Ne të gjithë jemi gati, iu tha Trump gazetarëve në një ngjarje në Konektikat.
I pyetur se sa gjatë është i gatshëm të presë, Trump deklaroi:
Mund të jenë disa ditë, por gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt.
Më herët, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e diplomimit në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-ve, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë sulme të tjera ndaj Iranit nëse negociatat dështojnë.
I goditëm shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por ndoshta jo, duke përsëritur qëndrimin e administratës së tij për programin bërthamor të Iranit. Nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë.
Këto komente erdhën menjëherë pasi Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se Teherani po shqyrton një propozim të ri amerikan, i cili thuhet se është dorëzuar përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Pakistani ka organizuar të vetmin raund zyrtar të bisedimeve të paqes Iran-SHBA, të mbajtur deri më tani dhe që atëherë, shërben si kanal kryesor i komunikimit midis dy palëve.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëruan më vonë se çdo sulm i ri nga Amerika mund ta zgjerojë konfliktin “përtej rajonit”.
Që nga 28 shkurti, SHBA-të e Izraeli janë në konflikt të hapur me Iranin dhe aleatët, pas një vale sulmesh ajrore që goditën objektiva ushtarake e shtetërore iraniane dhe eliminuan disa figura të larta, përfshirë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Sulmet ndodhën në mes të negociatave për programin bërthamor të Iranit, duke i dhënë goditje të fortë diplomacisë. Irani reagoi me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, bazave amerikane e vendeve aleate në rajon, si dhe mbylli Ngushticën e Hormuzit, duke tronditur tregtinë globale.