Bota

Trump: Sanksione nëse blini naftën e Iranit!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se “çdo vend ose person” që blen naftë apo petrokimikate nga Irani do t’i nënshtrohet sanksioneve, duke rritur kështu presionin ndaj Teheranit, mes negociatave mbi programin bërthamor të vendit.

Kushdo që e bën këtë, nuk do të lejohet të bëjë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në asnjë mënyrë apo formë”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

Kina po shihet si blerësi më i madh i naftës iraniane. Njoftimi i Trump-it erdhi pasi u shty një raund i katërt bisedimesh midis Uashingtonit e Teheranit rreth programit bërthamor iranian. Takimi ishte planifikuar për të shtunën.

Bisedimet midis të dërguarit special të SHBA-ve, Steve Witkoff, si dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ishin planifikuar të zhvilloheshin në Romë, por u shtynë “për arsye logjistike”, sipas Omanit, shtetit që në këtë rast po vepron si ndërmjetës.

Sipas zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Tammy Bruce, Amerika supozon se do të ketë bisedime të mëtejshme në të ardhmen e afërt.

Fillimisht, Trump bëri thirrje për bisedime me Teheranin dhe kërcënoi me pasoja ushtarake nëse ato dështonin, duke deklaruar se qëllimi i tij kryesor ishte të parandalonte Republikën Islamike nga krijimi i armëve bërthamore.

Por të mërkurën, Departamenti Amerikan i Thesarit (DASH) vendosi sanksione të reja ndaj një numri kompanish në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi e Iran, duke i akuzuar ato për përfshirje në tregtinë e petrokimikateve iraniane me vendet e treta, si dhe për ndihmën që i japin Iranit për t’iu shmangur sanksioneve.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) akuzoi po ashtu Teheranin se po vazhdon që të nxisë konfliktin në Lindjen e Mesme, të avancojë me programin e tij bërthamor e të mbështesë partnerët dhe përfaqësuesit e tij terroristë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po veprojnë për të ndaluar flukset e të ardhurave të përdorura për të financuar këto aktivitete destabilizuese, u shpreh Departamenti i Shtetit.