Bota

Turqia akuzon për spiunazh politik, kryebashkiakun e burgosur të Stambollit!

Një gjykatë turke lëshoi tjetër fletarrest zyrtar për kryebashkiakun e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën dyshimet për “spiunazh politik”, siç raportoi sot media shtetërore Anadolu. Imamoglu, rival kyç i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan e që gjendet në burg nga muaji marsi, po pret gjykimin mbi akuzat për korrupsion.

Në korrik u dënua për një tjetër vepër penale, fyerjen dhe kërcënimin ndaj kryeprokurorit të Stambollit. Ai mohon të gjitha akuzat.

Një shpifje, gënjeshtër dhe komplot i tillë nuk do t’i kalonte në mendje as djallit, u theksua në deklaratën e tij të publikuar në X. Po përballemi me një turp që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Agjencia Anadolu raportoi se një gjykatë në Stamboll lëshoi fletarrestin gjatë natës për Imamoglun dhe dy të tjerë, mes tyre Merdan Yanardagun, kryeredaktorin e kanalit televiziv, Tele1. Ky kanal kritik ndaj qeverisë, u mor nën kontrollin e shtetit të premten e kaluar, pasi u akuzua për spiunazh.

Sipas vendimit të fundit gjyqësor, Imamoglu akuzohet se është përfshirë në korrupsion për mbledhjen e fondeve në lidhje me kandidaturën e tij për president, si dhe për spiunazh, përkatësisht për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.

Qindra anëtarë e të zgjedhur të subjektit kryesor opozitar, Partisë Popullore Republikane (CHP) të Imamoglut po përballen me një sërë akuzash për korrupsion, akuza që cilësohen si “të motivuara politikisht”.

CHP-ja i mohon akuzat për korrupsion, duke i cilësuar “përpjekje të qeverisë për të shmangur kërcënimin zgjedhor ndaj Erdoganit”, akuza që qeveria turke i hedh poshtë.