Modelja amerikane Emily Ratajkowski ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh në rrjetet sociale, pasi publikoi në Instagram një video ku shfaqet duke bërë twerk, e ndjekur nga një foto e realizuar brenda një xhamie, ku ajo mban shami në kokë.
Postimi u shoqërua me përshkrimin:
New Yorku i Mamdanit
-një referencë ndaj Zohran Mamdanit, kryebashkiakut të parë mysliman të New Yorkut, të cilin Ratajkowski e ka mbështetur publikisht.
Megjithatë, kombinimi i videove dhe imazheve u interpretua nga shumë përdorues si fyes dhe i papërshtatshëm.
Kritikat shpërthyen menjëherë në komente, ku ndjekës të shumtë e akuzuan modelen për mungesë respekti ndaj vendeve të shenjta dhe besimit mysliman.
“Slide” i dytë është bërë në Xhaminë Sheikh Zayed në Abu Dhabi, ku jetoj. Nuk jam fetar dhe gjithmonë kam qenë fans i yti, por trego pak respekt
-shkruante një komentues.
Ndërsa një tjetër theksonte:
Askush nuk po debaton çfarë bën me trupin tënd. Problemi është zgjedhja për ta lidhur këtë me një vend të shenjtë për gratë myslimane. Kjo nuk është guxim, është mungesë respekti
Komente të tjera e quajtën veprimin “të tmerrshëm” dhe “të papranueshëm”, duke nxitur një debat të gjerë mbi kufijtë mes lirisë së shprehjes, artit dhe respektit fetar.
Deri më tani, Emily Ratajkowski nuk ka reaguar publikisht ndaj kritikave. Modelja është e njohur për qëndrimet e saj politike dhe aktivizmin në rrjetet sociale, duke mbështetur më herët figura si Bernie Sanders në zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2020, si dhe së fundmi Zohran Mamdanin.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë diskutimin mbi ndikimin e figurave publike dhe përgjegjësinë e tyre kur prekin tema të ndjeshme kulturore dhe fetare.