Kardinalët katolikë romanë janë kthyer sot në Kapelën Sistine, për të rifilluar votimin për zgjedhjen e papës së ri në konklavën më të madhe e gjeografikisht më të shumëllojshme në historinë e tyre. Kardinalët e nisën dje punën thellësisht rituale e të fshehtë për emërimin e një udhëheqësi të ri për 1.4 miliardë katolikët në mbarë botën. Por, në mbrëmje, tym i zi doli nga oxhaku në çatinë e kapelës, gjë që tregoi se nuk u zgjodh papa i ri në votimin e parë.
Kardinalët pritej ta nisnin votimin e dytë sot rreth orës 09:00 të mëngjesit, sipas asaj që ka njoftuar më herët Vatikani. Tym i bardhë do të tregojë se Kisha Katolike ka zgjedhur udhëheqësin e ri, që do të zëvendësojë Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar.
Nëse votimi i parë sot rezulton vendimtar, zgjedhja mund të shpallet rreth orës 11:00. Në të kundërt, sinjalet me tym do të vijnë më vonë gjatë ditës. Asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të këshillit, që njihet si konklava e fshehtë, prej shekujsh, prandaj votimi mund të vazhdojë për disa ditë para se ndonjëri nga klerikët me kapele të kuqe të kishës të marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave për t’u bërë papa i 267-të.
Gjatë ditëve të fundit, ata kanë dhënë vlerësime të ndryshme për çka kërkojnë te Papa i ardhshëm. Disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut e për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim te traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm e të matur.
Një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende do të hyjnë në Kapelën Sistine, në krahasim me 115 nga 48 vende në konklavën e vitit 2013, një rritje që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.
Ende nuk ka favorit të qartë, megjithëse kardinali italian Pietro Parolin dhe ai filipinas Luis Antonio Tagle konsiderohen ndër pretendentët kryesorë. Ashtu si në kohët mesjetare, kardinalëve do t’iu ndalohet komunikimi me botën e jashtme gjatë konklavës dhe Vatikani ka ndërmarrë masa të teknologjisë së lartë për të siguruar fshehtësinë, duke përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet për të parandaluar përgjimin.
Gjatësia mesatare e dhjetë konklavave të fundit ka qenë pak më shumë se tri ditë e asnjë nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditë. Konklava e vitit 2013 zgjati vetëm dy. Kardinalët do të përpiqen ta mbyllin procesin shpejt edhe këtë herë, për të shmangur përshtypjen se janë të përçarë ose se kisha është pa udhëheqje.