Një grua franceze, e cila u përdhunua nga disa burra të panjohur për mbi dhjetë vjet, pasi u drogua nga bashkëshorti i saj, tregoi në gjykatë për tmerrin që përjetoi kur mësoi se si ishte abuzuar me të. Gisèle Pélicot, 72 vjeçe, dha dëshmi se si 51 burra, përfshirë burrin e saj 50-vjeçar, Dominique, e përdhunan, duke thënë për këtë të fundit se kënaqej kur shihte burrat e tjerë që bënin seks me gruan e tij.
Shumë të pandehur në këtë rast kundërshtojnë akuzën e përdhunimit kundër tyre, duke pretenduar se ata mendonin se po merrnin pjesë në një lojë seksuale konsensuale. Gisèle Pélicot hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet dhe për të zhvilluar procedurat me dyer të mbyllura. Ajo kujtoi momentin në nëntor 2020 kur asaj iu kërkua nga policia të merrte pjesë në një intervistë së bashku me bashkëshortin e saj.

Gjykata e Avignon së fundmi e shpalli fajtor bashkëshortin e 72-vjeçares Gisele Pelicot për përdhunim serial nën efektin e drogës, duke e dënuar me 20 vjet burg. Të 51 të pandehurit u akuzuan për përdhunim serial, ndërsa njëri prej tyre, Nicolas Francois, i ndalohet gjithashtu të punojë me fëmijë për disa vjet. 32 prej të pandehurve nuk i është caktuar masa e paraburgimit, por pas dënimit janë dërguar menjëherë në burg.
Dënimet fillojnë nga katër vjet dhe shkojnë deri në 20 vjet që është dënimi maksimal për akuzën e rëndë të përdhunimit. Që herët në mëngjes, qindra njerëz ishin mbledhur jashtë gjykatës së Avignon për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me Giselle Pelicot, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur parulla kundër dhunës seksuale.