Një 42 vjeçar banues në Vlorë, por rezident në Gjermani humbi jetën teksa luante në kalçeton e fshatit Novoselë. Policia që e ka referuar rastin për vlerësim sqaron se shtetasi me iniciale B.R u godit me top në pjesën e kraharorit dhe u rrëzua në tokë.
Gjatë transportit për në spitalin e Vlorës, fatkeqësisht ndërroi jetë. Mjekët konstatuan se kishte pësuar arrest kardiak, megjithatë trupi i të ndjerit iu nënshtrua autopsisë e pritet dalja e rezultatit. Kohët e fundit po shtohen arrestet kardiake te moshat e reja, se sipas bluzave të bardha, nuk kryejnë kontrolle mjekësore periodike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 25.12.2025, në kalçeton e fshatit Novoselë, shtetasi B.R., 42 vjeç, banues në Vlorë, rezident në shtetin e Gjermanisë, gjatë një loje futbolli, pasi topi e ka goditur në pjesën e kraharorit, është rrëzuar dhe gjatë transportit për në spitalin e Vlorës ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka pësuar atak kardiak. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.