Aktualitet

U kap me armë zjarri, arrestohet 31-vjeçari në Tiranë!

Finalizohet operacioni i koduar “Pasagjeri”. Policia e Tiranë ka vënë në pranga një 31-vjeçari pasi lëvizte i armatosur. Gjithashtu është proceduar penalisht drejtuesi i automjetit në të cilin ishte pasagjer shtetasi i armatosur, për moskallëzim të krimit.

Nga kontrollet, 31-vjeçarit iu gjet në çantën e dorës, 1 armë zjarri pistoletë me municion, që posedohej pa leje. Sipas policisë 31-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, më herët, një 30-vjeçar u arrestua në Lezhë, i dyshuar si autor i 11 vjedhjeve, gjatë vitit 2025 dhe këtë muaj. Akuzohet se ka grabitur dy karburante, një dyqan dhe 4 taksistë nën kërcënimin e armës, duke përdorur një pistoletë lodër. Po ashtu, kreu 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa.

30-vjeçari me inicialet E. N., alias E. Ll., banues në Mamurras dyshohet se ka vjedhur dy karburante, një dyqan dhe 4 taksistë nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër.

Po ashtu, ai ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa. Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”.

Në momentin e ndalimit, ka qenë në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së tij janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular. 42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim edhe një person me inicialet A.L., i cili dyshohet si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.