Usher ka folur hapur për marrëdhënien e tij me Sean Diddy Combs, duke theksuar se ruan respekt për të, pavarësisht polemikave që kanë shoqëruar emrin e këtij të fundit.
Në një intervistë për Forbes, në rubrikën “The Enterprise Zone”, artisti la të kuptohet se përvoja e tij personale me Diddy-n ka qenë ndryshe nga ajo që është reflektuar në opinionin publik.
Sipas tij, perceptimi i krijuar nga publiku nuk përputhet gjithmonë me realitetin individual. Ai sugjeroi se në disa raste njerëzit mund të keqinterpretohen ose të gjykohen padrejtësisht, duke shmangur komentet direkte për akuzat konkrete, por duke nënvizuar se përvoja e tij nuk pasqyronte atë që është parë nga jashtë.
Usher vlerësoi gjithashtu ndikimin e madh që Diddy ka pasur në industrinë e muzikës dhe kulturën pop, duke e cilësuar kontributin e tij si një trashëgimi nga e cila kanë përfituar shumë artistë.
Ai shtoi se e konsideron Diddy-n një figurë kyçe në formimin e tij profesional, duke e përshkruar si një mentor të fortë, nga i cili ka mësuar shumë, sidomos në aspektin e biznesit dhe pozicionimit në industri.
Edhe pse debati publik rreth Sean Diddy Combs vazhdon, qëndrimi i Usher sjell një këndvështrim tjetër, më personal dhe më pak të ndikuar nga narrativat e jashtme.